Gazmir Ngota, bashkëpunëtori i Besmir Karajt në vrasjen makabre të 61-vjeçarit Menduh Kurt-Deda, ka zbuluar disa detaje tronditëse.
Ai është shprehur se pasi kanë marrë makinën e Faik Stonjës dhe janë nisur për një xhiro, në zonën e Xhamllikut kanë parë Menduh Kurt-Dedën dhe Besmiri e ka futur me zor në mjetin Ford Focus.
Ngota është shprehur se në një karburant në Allias, ata kanë ndaluar dhe kanë pritur sa të vinte “porositësja” Marjeta Karaj. Aty kanë nxjerr Kurt-Dedën nga makina dhe Karaj i ka kërkuar borxhin, por 61-vjeçari nuk përgjigjej dhe vetëm qeshte. Bashkëpunëtori ka bërë me dije se ishte hera e parë që e shihte Kurt-Dedën dhe se ai ishte në gjendje të dehur dhe prandaj po qeshte. Më pas, sipas dëshmisë, Besmiri i ka gjuajtur me shkelma deri sa ai është rrëzuar në tokë. Ndërsa Marjeta ka thënë se “hiqeni qafe qenin se s’i bie njeriu mendja për të”.
Të dy së bashku e kanë ngritur Menduhn dhe e kanë futur në makinë, ku Besmiri është shprehur se do ta dërgojnë pas Dajtit dhe do ta ekzekutojnë. Ngota është shprehur: fillimisht mendova se Besi po bënte shaka, por më pas më ndaloi afër një karburanti dhe më dha dy bidona 0.5 litra për t’i mbushur me benzinë dhe lekët mi dha ai.
Pasi kanë arritur në kodër Shupal, gjatë mbrëmjes, Besmir Karaj ka lidhur 61-vjeçarin në një pemë dhe e ka spërkatur me benzinë, më pasi i ka vënë flakën.