Avokati i Popullit të Republikës së Kosovës, Naim Qelaj bashkë me zëvendësit e tij Marija Radulovic dhe Niman Hajdari kanë realizuar sot një video-takim me Dejan Pantiç, ish-policin të cilit i është caktuar masa e paraburgimit dhe që po mbahet pikën kufitare në Jarinje në pamundësi për t’u transferuar në ndonjë qendër paraburgimi shkaku i situatës së krijuar dhe tensioneve e barrikadave.
Siç thuhet në shkresën e Avokatit të Popullit, Pantiç s’ka pasur ankesa për trajtimin nga Policia e Kosovës. Pantiç ka dhe avokat mbrojtës dhe ka zhvilluar edhe takim online me të, derisa më 22 dhjetor ka biseduar edhe përmes telefonit.
“Familja është njoftuar për faktin se ai u arrestua dhe iu shqiptua masa e paraburgimit. Deri më tani nuk ka realizuar takim me ta, pasi që takimet dhe telefonatat janë subjekt i lejes nga gjykata kompetente”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Ndërkohë sa i përket gjendjes shëndetësore, Pantiç ka treguar se vuan nga tensioni, por që është duke e marrë terapinë adekuate.
“ Ai po ashtu po i përdorë medikamentet që i kishin sjellë familja e tij. Ai theksoi se atij iu sigurua edhe shtrati për të fjetur dhe se i është dorëzuar vendimi gjyqësor për caktimin e masës së paraburgimit”.