-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kush e ka rrogën më të lartë se kancelari në Gjermani?

Kryesoret

Kancelari gjerman Olaf Scholz fiton më pak se shumë drejtues kompanish private dhe institucionesh shtetërore. Këtë e tregon lista e Ministrisë së Financave, e cila u është vënë në dispozicion gazetarëve pas shumë kërkesash dhe korrespodencash mes deputetit, Jan Korte, kreu i grupit parlamentar të partisë e Majta në Bundestag dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.

Sipas kësaj liste, të paktën 21 anëtarë të bordeve të drejtorëve apo menaxherë të kompanive dhe institucioneve shtetërore kanë një rrogë më të lartë se kancelari Olaf Scholz, i cili merr rreth 360.000 euro në vit.

Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave Gjermane (Deutsche Bahn AG), Richard Lutz, fiton më së shumti nga menaxherët dhe drejtuesit e kompanive që janë nën pronësinë e shteti. Pagë e tij vjetore është 900.000 euro dhe në këtë të dhënë nuk janë përfshirë rritja e pagës prej dhjetë për qind gjatë këtij viti (2022). Po ashtu nuk janë marrë parasysh as pagesat shtesë në formën e shpërblimeve, bonueseve dhe pagesave të tjera. Në këto llogaritje paraqiten pra vetëm të dhënat për rrogat bazë, të cilat ndonjëherë dallojnë shumë nga të ardhurat në tërësi.

Pas drejtorit të Deutsche Bahn, i dyti në radhë në listë me 863.000 është Stefan Hofschen, drejtori i përgjithshëm i Shtypshkronjës Shtetërore (Bundesdruckerei GmbH), e cila ndër të tjera është përgjegjëse për prodhimin e pasaportave, dokumenteve personale, pullave postare, kartëmonedhave, si dhe pajisjeve për prodhimin e tyre.

Më pas në listë vijnë anëtarët e tjerë të bordit të Hekurudhave Gjermane dhe anëtarët e bordit të Bankës Shtetërore për Zhvillimimin, KfV, të cilët marrin nga 555.400 deri në 687.600 euro në vit.

Pagat e CEO-ve të qendrave të ndryshme kërkimore si ajo Helmholtz, qendra për kontrollin gjerman të trafikut ajror, Autobahn GmbH, e operatorit të mbledhjes së tarifave Toll Collect dhe Agjencisë Financiare Federale gjermane janë pjesërisht po ashtu mbi pagën e kancelarit ose të ngjashme me rrogën e tij vjetore.

Kërkesat e drejtuara ministrit Lindner

Në korrespondencë me Ministrinë e Financave, deputeti Korte iu drejtua konkretisht ministrit Christian Lindner (FDP), i cili së fundi tha se asnjë drejtor i mediave që përfshihen në grupin e mediave publike gjermane – ARD – nuk duhet të fitojë më shumë se kancelari dhe se paratë e takspaguesve dhe të atyre që paguajnë taksën e detyrueshme televizive duhet të shpenzohen me kujdes. Politikani i majtë i ka shkruar ministrit Lindner se e mbështet këtë qëndrim, duke shtuar se: “Megjithatë, në mënyrë që kërkesa juaj të kuptohet plotësisht, do të ishte e rëndësishme të dini se kush në institute, institucione apo kompanitë federale merr një pagë më të lartë se kancelari. Duhet të jeni më të kujdesshëm me paratë e taksapaguesve”.

Sipas Rrjetit Gjerman të Redaktorëve (RND), Korte i ka kërkuar këto të dhëna dy herë. Më në fund Ministria e Financave i dërgoi deputetit listën e kërkuar, ku shihen pagat e gjithsej 151 anëtarëve të bordeve dhe të drejtuesve të kompanive dhe institucioneve të ndryshme të shtetit gjerman.

„Situatë absurde”

“Krahasuar me bordin drejtues të Deutsche Bahn AG, kancelari Scholz punon pothuajse në baza vullnetare,” thotë Korte, pas shikimit të listës.

“Kancelari po të ishte drejtues i Shtypshkronjës Shtetërore do të kishte ndoshta më pak stres dhe një rrogë dyfish më të lartë”. Është një situatë absurde. Duhet të ndalet politika e gabuar e privatizimit të infrastrukturës dhe institucioneve shtetërore”. Hekurudhat shtetërore, Shtypshkronja shtetërore dhe shumë kompani të tjera janë privatizuar së pari, e pastaj janë blerë prapë nga shteti.

Rrogat e disa drejtuesve – sekrete!

Sipas RND, lista e pagave nuk është e plotë: Në disa raste, Ministria i ka rekomanduar deputetit Korte se duhet të drejtohet tek Agjencia e Bundestagut për mbrojtjen e të dhënave personale. Për rrogat e krerëve të disa institucioneve, si presidentit të BaFin apo dy anëtarëve të bordit të FMS, një lloj “Bad Bank” për likuidimin e Hypo Real Estate të shtetëzuara, deputeti ka mundur të informohet por nuk guxon t’i publikojë këto të dhëna.

Korte e kritikon ashpër këtë rregull: Nëse Lindner – me të drejtë – kërkon transparencë për pagat e drejtuesve në mediat që përfshihen në grupin e mediave publike gjermane – ARD, atëherë këtë duhet ta bëjë edhe në sektorin e institucioneve që i përgjigjen vetë ministrit, thotë Korte. Sipas tij, është plotësisht e pakuptueshme që informacionet për rrogat e disa prej drejtuesve të institucioneve federale të klasifikohen si sekret dhe të mbrohen prej Agjencisë së Bundestagut për mbrojtjen e të dhënave personale. /DW

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit