Departamenti amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandat Vuçiç për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës.
Më tutje thuhet se SHBA-ja dhe BE-ja mirëpresin garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë, ose përndjekjen e atyre, që protestojnë paqësisht.
“BE-ja dhe SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e tensionuar që po vazhdon të mbizotërojë në veri të Kosovës. Ne i bëjmë thirrje të gjithëve për përmbajtje maksimale, të mos marrin masa të menjëhershme dhe të pakusht për të ulur tensionet, dhe të frenohen nga provokimet, kërcënimet e frikësimet.
Ne po punojmë me presidentin Vuçiç dhe kryeministrin Kurti për të gjetur një zgjidhje politike në mënyrë që të ulen tensionet dhe të arrihet pajtim për një rrugë para në interes të stabilitetit, sigurisë dhe mirëqenies të gjitha komuniteteve lokale”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Po ashtu në këtë deklaratë, SHBA thotë se mirëpret garancinë e marrë nga Kosova që konfirmon se nuk ka një listë me serbë të Kosovës që do të arrestohen apo persekutohen për “protestat paqësore/barrikadat”.
“Në të njëjtën kohë sundimi i ligjit duhet të respektohet, dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme e nuk do të tolerohet”, thuhet në komunikatë. SHBA-ja u shpreh se do ta përkrahë punën e BE-së nëpërmjet Misionit të EULEX-it në Kosovë.