Në Vatikan mbahet sot ceremonia e varrimit të Papa Benediktit XVI, i cili vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Mijëra persona janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për varrimin Papës Emeritus Benedikti XVI, teologut gjerman, i cili bëri histori duke u tërhequr nga drejtimi i Kishës Katolike. Ceremoninë e varrimit po e udhëheq Papa Françesku.
Policia italiane ka thënë se pritet të mblidhen deri në 100.000 persona në sheshin Shën Pjetri, raportuan mediat italiane. Në këtë ngjarje po marrin pjesë krerë të shteteve dhe përfaqësues të mbretërive, pavarësisht se Benedikti kishte kërkuar që varrimi i tij të mos ishte një ngjarje e madhe. Përveç tyre, në ceremoninë e varrimit janë ftuar edhe krerët e disa qeverive, katër kryeministra dhe dy delegacione të familjeve mbretërore.
Sipas ritit të varrimit, arkivoli i Benediktit do të dërgohet nga bazilika dhe do të vendoset para altarit, ndërsa besimtarët do të thonë lutje. Ky ritual është i bazuar në kodin që është përdorur edhe për papët e tjerë që kanë vdekur, por në këtë rast janë bërë disa modifikime, pasi Benedikti nuk ishte papë në detyrë kur vdiq.
Pas meshës, arkivoli prej qiparisi i Benediktit do të vendoset brenda një arkivoli prej zinku, më pas në një arkivol të punuar me dru lisi dhe do të varroset në varrezat që gjenden nën bazilikë, ku dikur gjendej edhe varri i Papa Gjon Palit II. Më pas, arkivoli i Benediktit do të zhvendoset në katin e sipërm, në bazilikën kryesore.
Ish-kreu i Kishës Katolike, emri i vërtetë i së cilit ishte Joseph Ratzinger, vdiq më 31 dhjetor në moshën 95-vjeçare. Ai konsiderohej si një prej teologëve më të mirë të shekullit XX dhe e kaloi jetën e tij duke iu përmbajtur doktrinës së Kishës.