Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte sot në selinë e PD-së, ku takoi Flamur Nokën, pasi Sali Berisha po kalon një gjendje gripale. Viti i ri që sapo ka nisur, Meta tha se do të sjellë ndryshimin.
“Marrëdhënia jonë me PD është e shkëlqyer, takimet dhe koordinimet tona janë të vazhdueshme, ashtu sikur jemi të hapur për të bashkëpunuar me cdo faktor opozitar. Opozita do të jetë kudo, me denoncime jo vetëm mediatike, por edhe në terren dhe pranë institucioneve të drejtësisë” tha ai.
Ish-presidenti foli edhe për punësimet në administratë. “Nëse 700 mijë shqiptarë janë larguar gjatë qeverisjes së Edi Ramës, ky ka shtuar administratën me të paktën një bashki, të paktën sa Gjirokastra. Gati tre qarqe nga Shqipëria kanë ikur, ky ka shtuar 22 mijë veta administratë.
Viti ku kemi hyrë është shumë i rëndësishëm, do të jetë viti i ndryshimit dhe falimentimit tonë dhe Shqipërisë. Ne jemi të bindur se së bashku me forcat e tjera opozitare dhe të gjithë qytetarët e këtij vendi, do të bëjmë të mundur çkapjen e shtetit dhe nisjen e një ndryshimi të madh, që nis jo vetëm me rivendosjen e llogaridhënies në pushtetin vendor por në të gjitha institucionet e tjera të vendit” tha ai.