Në librin autobiografik të Princit Harry ka dalë një pjesë e rrëfimit për vdekjen e nënës së tij, Princeshës Diana, e cila humbi jetën në një aksident automobilistik në Paris në Gusht 1997.
Harry zbulon se ka qarë vetëm një herë pas vdekjes së nënës së tij kur ai ka qenë 12 vjeç. Dhe kjo ka ndodhur gjatë ceremonisë mortore.
“Kam qarë një herë, në varrim. Ishte shumë e çuditshme. Ndjeva një lloj faji, mendoj se edhe William (vëllai) e ndjeu gjithashtu, duke ecur jashtë Pallatit Kesington. Aty ishin 50 mijë buqeta me lule për nënën tonë. Po u shtrëngonim duart të tjerëve duke buzëqeshur. Duart e tyre ishin të lagura dhe po dridheshin, nuk mund të kuptonim pse ishin të lagura. Por ishin për shkak të lotëve që po fshinin”, ka thënë Princi Harry.
Më tej ai ka vijuar: “Të gjithë mendonin dhe ndiheshin sikur e njihnin nënën tonë, dhe dy njerëzit më të afërt të saj, dy njerëzit më të dashur prej saj, nuk ishin në gjendje që të tregonin asnjë emocion në atë moment”.
Harry ka treguar gjithashtu se babai i tij, që sot është Mbreti Charles, nuk e përqafoi kur dha lajmin se Princesha Diana kishte vdekur.