Deputeti i PD-së, Dashnor Sula kërkon nga prokuroria hetim të thellë për të zbuluar se kush është zoti i pjesës kryesore të euro që janë sekuestruar në shtëpinë e pastrueses dhe djalit të saj, Rozeta dhe Havier Dobi.
“Ekziston një shprehje shumë e bukur popullore tek ne që i shkon shumë për shtat ngjarjes së ditëve të fundit. (Arrestimi i nënë e bir)
📌”Nga ferra e vogël del lepuri i madh”. Kjo shprehje i jep shumë kuptim ngjarjes së arrestimit nënë e bir pasi kanë vjedhur qindra e mijëra euro në shtëpitë e zyrtarëve të qeverisë. Vjedhja, patjetër është e dënueshme dhe plotësisht dakord me masën e sigurisë që u dha ndaj tyre. Por prokuroria duhet të gjejë “lepujt” e mëdhenj.
Zyrtarët e qeverisë që ndonëse me rroga jo marramendëse në shtëpitë e tyre fshehin qindra e mijëra euro. Nuk besoj se ka ndonjë naiv që të mendoj se ato para që iu vodhen zyrtares A. Klosi e cila ka qenë drejtoreshë e koncesioneve në Ministrinë e Financave janë para nga kursimet.
📍Si ish-koleg i tyre, inkurajoj prokurorët të hetojnë përtej rastit. Pastruesja dhe djali i saj janë vetëm dy hajdutë, por hajdut njësoj si ata janë edhe zyrtarët që zhvatin taksat e qytetarëve dhe i fshehin ato nën jastëkë e nën dyshekë.
A.Klosi ishte vetëm njëra nga zyrtarët e vjedhur nga nënë e birë, shumë prej zyrtarëve nuk i kanë denoncuar hajdutët sepse ata vetë janë hajdut më të mëdhenj dhe nuk justifikonin dot paratë. Ngjarja e ditëve të fundit është treguesi më i mirë i korrupsionit të shpërndarë në çdo qelizë të administratës dhe duhet të shërbej si një rast për të zgjeruar hetimet më tej.
📍Jam i bindur se nëse hetimi zgjerohet pa u ndikuar nga pushteti, do të dalin në pah edhe shumë e shumë hiena të administratës që janë bërë shkas i boshatisjes së qytetareve” shkruan ai.