Përdorimi i internetit nga familjet, bizneset e individët ka shënuar rritje në vitin 2022, sipas një raporti të fundit të INSTAT. Bazuar në rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit (TIK) gjatë vitit 2022, nga grup-mosha 16 – 74 vjeç, e përdorin internetin 82,6% e popullsisë, nga të cilët 91,6% e përdorin disa herë gjatë ditës.
99,9% e individëve kanë përdorur aparat celularë / telefona inteligjent (smart) për të hyrë në internet. Ndërkohë 23,5% e popullsisë e përdorin internetin nëpërmjet laptopit, 20,8% nëpërmjet kompjuter / desktop dhe 13,1% nëpërmjet tabletit.
98,5% kryejnë thirrje / video thirrje (përmes Skype, Viber, WhatsApp) dhe ky tregues ka shënuar rritje prej 0,2 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
Rritet aksesi i familjeve në internet
Përqindja e familjeve shqiptare që kanë akses në internet është 96,5%. 90,3% ose 665.362 familje kanë akses në internet me rrjet fiks broadband (rrjet optike ose kabllor, ADSL, etj.), tregues i cili ka shënuar rritje prej rreth 12 pikë përqindje.
Individët e përdorin internetin kryesisht për e-mail e lexim lajmesh online
Individët e moshës 16-74 vjeç që kanë përdorur internetin në “tre muajt e fundit” nga momenti i kryerjes së intervistës, përfaqësojnë 82,6% të popullsisë në studim. Tregues i cili ka regjistruar një rritje rreth 3,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.
Ndër to, përdoruesit e shpeshtë të internetit përfaqësojnë, 91,6% të individëve (që përdorin internet disa herë gjatë ditës), ndjekur nga ata që e përdorin çdo ditë me 7,0% dhe 1,2% ata që përdorin internetin të paktën një herë në javë.
Më shumë e-blerje (blerje online)
Blerjet “online” i referohen porosive të mallrave ose shërbimeve nëpërmjet internetit, blerjen e tyre nëpërmjet internetit (e-blerje) për qëllime personale nëpërmjet çdo lloji pajisjeje (desktop, i lëvizshëm ose i dorës, përfshirë telefonin celular ose telefon smart).