Komisioni i Ekonomisë diskutoi sot aktin normativ të qeverisë për ndryshimet në buxhet që u miratua përpara Vitit të Ri për shpërblimin e disa kategorive të qytetarëve. Ish-zv/ kryeministri Erion Braçe kërkoi shpjegim nga qeveria se përse nuk kishte shpërblim për bujqit.
“Pse këta të bujqësisë nuk meritojnë asgjë nga këto akte normative? Kush është argumenti? Kemi ende edhe para pa përdorur, këtu janë dhënë alternativa edhe si mund të përdoren. Atëherë përse nuk jepen?” pyeti ai.
Nga ana tjetër, deputeti Edmond Spaho kërkoi praninë e ministres së Financave, Delina Ibrahimaj për ta pyetur lidhur me skandalin e arrestimit të sekretarit të përgjithshëm, Arlind Gjokutaj.
“Gjatë kësaj kohe fshihet dhe trembet. Doja të shikoja fytyrën e saj, se çfarë forme do të merrte, shprehje, për 1.2 mln eurot që nëpunësi i saj është pas hekurave. Cila është përgjegjësia e saj?” tha ai.
Prova të reja për 21 Janarin? Spaho: Mos u merrni me “Babalen” (Godet edhe Salianjin)
Në këtë pikë, Braçe iu përgjigj ashpër kolegut demokrat. “Për çështje penale nuk kam asnjë dëshirë të pyes kënd. Shumica dërrmuese që janë këtu dhe mbivendosja. Kam vendosur që me durim shumë dhe respekt të Kushtetutës të dëgjoj drejtësinë.
Gjithkush ka mënyrën e vet të të qasurit ndaj drejtësisë. Unë kam këtë. E kam qepur, e kam mbyllur gojën dhe kërkoj të pres drejtësisë. Kam duruar lloj palaçoje në parlament. Akti normativ ka hyrë në fuqi ditën që është miratuar.
Mua më shqetëson fakti se për të njëjtën çështje brenda katër ditësh ka qëndrime të ndryshme. Përse ka qëndrime të ndryshme për propozime deputetësh. Përse ka qëndrime të ndryshme dhe për një kategori punëtorësh marrin shpërblim dhe të tjerë jo. Përse këta të bujqësisë nuk marrin, kush është argumenti?
Përse 24 ditë pasi është mbyllur viti kemi ende para pa përdorur kur janë dhënë të gjitha alternativat se si të përdoren paratë në mënyrë efektive. Mua më intereson buxheti i shtetit” tha Braçe.