Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se tre shtetas bullgarë, që kanë fyer pjesëtarët e policisë maqedonase në vendkalimin kufitar Deve Bair me Bullgarinë, janë dënuar me nga 300 euro, si dhe u është ndaluar për tre vjet hyrja në Maqedoninë e Veriut.
Incidenti ndodhi të shtunën, derisa dhjetëra bullgarë ishin nisur për në Shkup për të marrë pjesë në manifestimet për 151-vjetorin e lindjes së Goce Dellçevit – identitetin e të cilit e pretendojnë, si maqedonasit, ashtu edhe bullgarët.
Goce Dellçev ka udhëhequr një rezistencë maqedono-bullgare kundër Perandorisë Osmane në periudhën e vitit 1900.
Shtetasit bullgarë nuk mundën të hyjnë në territorin e Maqedonisë së Veriut për shkak të, siç u tha, “rënies së sistemit elektronik të kontrollit në të gjitha pikat kufitare”.
“Problemi teknik” ka zgjatur për më shumë se katër orë, gjë që ka pamundësuar hyrje-daljet nga Maqedonia e Veriut.
Por, Ministri i Punëve të Brendshme i Bullgarisë, Ivan Demerxhiev, i cili mori pjesë në manifestimet për Dellçevin, tha se “dyshon që problemi teknik ishte i qëllimshëm” për të penguar shkuarjen e bullgarëve në Shkup.
Ai tha se ditën e hënë, pala bullgare do t’iu dhurojë autoriteteve maqedonase pajisje teknike që të mos kenë “probleme të tilla”.
Ndërkohë, organizata e maqedonasve në Bullgari, “OMO Ilinden Pirin”, ka njoftuar për një sulm ndaj klubit të saj në qytetin Bllagoevgrad në Bullgari./REL