Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, eksportet në vlerë janë rritur me ritme dyshifrore, por sasia e tyre është me rënie më 2022 dhe janar 2023. Në janar të këtij viti, eksportet në vlerë shënuan rritje vjetore me mbi 20%, por në sasi ato ishin me rënie 0.4%.
Kostot e larta të lëndëve të para kanë reduktuar prodhimin me bazë eksporti në disa sektorë. Rënia e eksporteve në sasi po hyn në vitin e dytë të saj, pasi më 2022, sasia e tyre ra me 10% më e madhja në dekada. Vitin e kaluar, tri grupet që shënuan rënien më të madhe të sasive ishin nafta, mineralet me rreth 16%, materialet e ndërtimit, me rreth 8.2%.
Rritja më e madhe e eksporteve në sasi ndodhi për grupet e tekstilit dhe këpucëve me rritje të sasive rreth 15%, eksportet e produkteve kimike dhe plastike me 17% dhe grupi i ushqimeve me rreth 12%. Në janar 2023, rënia e eksporteve në sasi vijoi me 0.4% në krahasim me janarin 2022. Xeherorët, grupi i katërt për nga volumi, shënoi ulje me rreth 39%. Druri dhe artikujt prej tyre grupi i nëntë më i madh për nga sasia shënoi ulje vjetore me 38% në janar 2023.
Gjithashtu eksporti i bimëve mjekësore dhe farave vajore shënoi rënie me 25%. Peshku dhe kafshët e tjera guackore shënuan rënie me 18%. Rënie shënuan edhe disa metale kryesisht bakri. Grupi i plehëruesve për bujqësinë shënoi rënie vjetore me 95 për qind në janar 2023.
Ndërsa në vlerë gjatë janarit 2023 ka ndikuar pozitivisht eksporti i “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +12,9 pikë përqindje. “Tekstile dhe këpucë” me +3,7 pikë përqindje. Dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje. Ndërsa negativisht ka ndikuar grupi: “Produkte kimike dhe plastike” me -0,8 pikë përqindje./ Monitor