Ditën e sotme nisi në Komisionin e Ligjeve shqyrtimi i nismave për dosjet e ish-bashkëpunëtoreve të Sigurimit të Shtetit.
PS kërkon që të ndiqet për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit e njëjta praktikë si për të inkriminuarit, që të jetë prokuroria ajo që të bëjë hetime të thelluara me kërkesë të KQZ.
Për ligjin e partive PS kërkon që nëse kryetari i forcave politike rezulton ish-bashkëpunëtor apo i favorizuar i sigurimit të ndalohet veprimtaria e kësaj force politike.
“Nëse partia politike nuk do të veprojë, nuk do të zgjedhë një kryetar të ri, atëherë KQZ do të ketë të drejtën që të vendosë ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë politike”, tha deputetja socialiste Ermonela Felaj.
Enkelejd Alibeaj me nismën e tij kërkon lustracion të plotë jo vetëm për politikanët, e funksionarët e lartë, por dhe administratën publike. Debati sapo ka rinisur dhe pritet që të vazhdojë gjatë.