Partia Demokratike fiton betejën. Sot Gjykata Kushtetuese vendosi që të pranonte kërkesën e deputetëve të PD-së duke rrëzuar Bordin e Transparencës për Çmimet e Ushqimeve që ngriti qeveria për shkak se aktet normative nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës. Një grup deputetësh nga Partia Demokratike, me iniciator deputetin Dashnor Sula, kërkuan shfuqizimin e Bordit të Ushqimeve.
Por çfarë thotë Gjykata Kushtetuese?
Lidhur me këtë çështje, Gjykata vlerësoi se aktet normative me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” dhe nr. 9, datë 11.05.2022 “Për një shtesë në aktin normativ nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave, “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”” nuk plotësojnë kriteret kushtetuese të parashikuara në nenin 101 të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash
VENDOSI:
- Pranimin e kërkesës.
- Shfuqizimin e ligjit nr. 41/2022, datë 21.04.2022 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 7, datë 18.03.2022 të Këshillit të Ministrave “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg””, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Bordi i ushqimeve hyri në fuqi më 1 prill dhe detyra ishte monitorimi i çmimeve të produkteve të shportës dhe përcaktimin e marzheve të fitimit të bizneseve të këtij sektori. Çmimet monitorohen çdo javë. Të gjitha subjektet që importojnë dhe prodhojnë produkte ushqimore sipas vendimit janë të detyruar të marrin masa për të ofruar furnizim të pandërprerë. Me vendimin e sotëm pritet që të njëjtin fat të ketë edhe bordi i karburanteve.