Mbi 300 litra bojë të verdhë dhe blu -në ngjyrat e flamurit ukrainas- janë hedhur nga aktivistët jashtë ambasadës ruse në Londër, duke shkaktuar kaos në automjetet që kalonin aty.
Aksioni aktivist erdhi përpara përvjetorit të një viti të pushtimit të Moskës. Anëtarët e organizatës “ Led By Donkeys” ndaluan këmbësorët dhe me karroca e furça nisën të shpërndanin bojën duke dashur të bënin një flamur 500 m2.
Bojëja njolloi natyrshëm edhe gomat e automjeteve që kalonin në rrugë, e cila bashkohet me Hyde Park dhe Kensington Gardens.
Organizata donte të dërgonte mesazhin se Ukraina është një shtet i pavarur dhe populli i saj ka të drejtën e vetëvendosjes. ” Të kesh një flamur të madh ukrainas jashtë ambasadës së Putinit në Londër, do t’i kujtojë atij këtë.”
Policia Metropolitane e Londrës njoftoi katër arrestime, tre burra dhe një grua, të dyshuar për dëmtim kriminal dhe pengim të trafikut.
Megjithatë, komentet e marra nga organizata në Twitter bëjnë përshtypje. Disa duartrokasin aktivizmin, por të tjerë janë të pakëndshëm, duke protestuar si për punën që ekipet e pastrimit do të duhet të përballojnë, ashtu edhe për suksesin e aktivizmit. “Sikur kjo do ta ndalë luftën”, ka shkruar një përdorues.