Gjykata ka lënë në burg dy vëllezërit Orges dhe Emirjan Sina që disa ditë më parë i bënë pritë dhe u konfliktuan në tunelin e Elbasanit me prokurorin e SPAK-ut, Behar Dibra.
Por çfarë ndodhi konkretisht?
Prokuror i SPAK-ut dhe një anëtar i Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në Elbasan për të mbledhur informacione lidhur me arrestimin e Arben Spahiut dhe Arsen Preçit.
Në momentin prokurori i SPAK, Behar Dibra po largohej bashkë me një oficer të Policisë Gjyqësore të BKH dhe me shoferin e tyre në një makinë tip Honda, në afërsi të tunelit të Elbasanit, janë përballur me një makinë tjetër në të cilin lëviznin Orges Sina dhe Emirjan Sina, konkretisht 24 e 27 vjeç, lindur në Librazhd e banues në Durrës. Njëri prej tyre punon oficer sigurie i një firme private në Portin e Durrësit.
Konkretisht, në hyrje të tunelit, njëri prej personave ka fotografuar mjetin e prokurorit dhe OPGJ, ndërsa nga krahu tjetër i njëjti veprim është bërë dhe nga personat që udhëtonin në makinën Honda. Mësohet se mjeti i Orges dhe Emirjan Sina i kanë prerë rrugën makinës së prokurorit të SPAK duke i kërkuar llogari pse po i fotografonin.
Në këtë moment, debati ka agravuar duke shkuar deri në tentativë të përleshjes fizike, por që është shmangur kur njëri nga vëllezërit ka treguar dokumentin duke pretenduar se është punonjës i Policisë së Shtetit.
Në këto momente prokurori ka treguar gjithashtu dokumentin që tregon se është anëtar i SPAK. Por kjo nuk i ka ulur tensionet mes palëve që kanë vijuar sherrin duke shkëmbyer fjalë e ofendime ndaj njëri-tjetrit. Dy vëllezërit janë arrestuar dhe sot janë lënë në burg nga gjykata.
Pritë te tuneli! Dy vëllezër kërcënojnë agjentët dhe prokurorin e SPAK-ut