Kritikat e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) në raportin vjetor për të Drejta të Njeriut duhet të shërbejnë për angazhim më të madh të institucioneve në përmirësimin e gjendjes në fushat përkatëse, në veçanti në gjyqësor, si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ka deklaruar të martën kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Në raportin e DASH-it, në pjesën për Maqedoninë e Veriut, përmendet korrupsioni i rëndë qeveritar, mungesa e përgjegjësisë për dhunë me bazë gjinore dhe atë në familje, trajtim çnjerëzor dhe degradues në burgje, kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve dhe kërcënime e dhunë drejtuar anëtarëve të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).
“Raportet e tilla duhet të përdoren në drejtim të përmirësimit të situatës në shoqëri, sidomos në ato që ne i analizojmë. Besimi në gjyqësor është diçka për të cilin duhet të punojë e tërë shoqëria, dhe para së gjithash organet e drejtësisë. Ne synojmë realizimin e më shumë projekteve, ku unë do ta theksoja procesin e vetingut, që duhet të përfshijë të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur. Ky proces duhet bërë në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në”, ka deklaruar Kovaçevski.