Biznesmeni dhe pronari i mediave Irfan Hysenbelliu ka reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë që i hoqi “Prestige Resort” dy godina dhe i kaloi për Shërbimin Social, fëmijët në nevojë.
Paraditen e sotme Shërbimi Social i ndihmuar nga policia shkoi për të ekzekutuar vendimin. Biznesmeni Irfan Hysenbelliu deklaroi se sulmi është politik dhe tregoi se Edi Rama, sipas tij i ka bërë presione për linjën editoriale, por edhe për emra të caktuar.
“Edi Rama ka një shpirt të zi. Konfliktet i kam pasur që në kohën që ka qenë në bashki. Unë këto ditë kam qenë në një nga hotelet më të rëndësishme në Athinë dhe ai ishte me familjen e tij. Dhe ishim në një kat bashkë.
Dhe aty shkëmbeheshim. Mimikat e tij, i rrotulloheshin sytë dhe surrati dhe vinte vërdallë në korridor. Pse është i shqetësuar? Ai ka kërkuar që unë të bëj presione të njerëzve të rëndësishëm.
Si mundet një ministri të Jashtëm t’i bëja presion, kur ai njeri ishte shumë i sinqertë dhe kishte respektin më të madh. Ky është Edi Rama. Nuk kam qenë në vijën editoriale të tij. Unë jam munduar të mbajë një ekuilibër.
Kam mbi 2 mijë veta të punësuar. Në një nga mesazhet i kam thënë “Nuk dua të kthehesh në një Erdogan i dytë” tha ai. “Unë kam takuar edhe Gramoz Ruçin, dhe i kam thënë “kemi jetuar dy sistemet, si ka mundësi kjo heshtja jote? Nuk kam më fuqi, tha” tregoi më tej ai. Por cili është qëllimi i këtij aksioni? “Unë nuk e shes televizionin sepse presioni atje të çon” tha ai.
Qeveria i merr dy godina Hysenbelliut dhe i kalon për fëmijët në nevojë