Mbrëmja e kaluar ka sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave në zonën e Bulqizës. Termometri ka zbritur disa gradë nën zero, duke krijuar akull në rrugën Qaf Buall-Krastë.
Ndërkohë, drejtuesit e mjeteve janë përballur me befasi mëngjesin e sotëm teksa janë përballur në rrugë me akullin. Ata shprehen se kjo është e pazakontë për periudhën në të cilën ndodhemi.
Megjithëse periudha e kriposjes së rrugëve gjatë stinës së dimrit është 15 nëntor-15 mars, drejtuesit e mjeteve kërkojnë që të ndërhyjë firma dhe të largojë akullin në ato pika të rrugës që nuk përshkohen nga rrezet e diellit.
Rënie e ndjeshme e temperaturave ka shkaktuar dëme edhe në sektorin e bujqësisë. Për shkak të ngricave gjatë natës, specialistët e bujqësisë shprehen se pasojat më të mëdha pritet të jenë në frutikulturë, kryesisht tek pemët frutore të lulëzuara.