Sekretari për çështjet ligjore i Foltores Ivo Kaso, në një deklaratë për mediat u shpreh se kryebashkiaku socialist në Devoll, Eduard Duro përdor mjete jashtëligjore, duke nënshkruar me firma zgjedhësish pa autorizimin e tyre, duke i falsifikuar ato dhe duke përdorur familjarët e vet si firmëtare të një kandidati ‘rival’.
Nëse në Tiranë dhe bashki të tjera, përdorin pengje, në Devoll Rilindja përdor paterica elektorale.
I tillë është rasti i Çlirim Hoxhës, një kandidat që pretendon se do të garojë si i pavarur për bashkinë, por devollinjtë e dinë se është patericë e Eduard Duros, kryebashkiakut socialist.
Në plan emocional Duro nuk ka faj, sepse e ka zënë tartakuti i humbjes dhe turpërimit në një bashki që e ka marrë duke garuar kundër vetes, pra aforfe dhe në tavolinë.
I mësuar me qylin, tani që opozita është në garë dhe e sigurt në fitore, kryetari socialist merr me qera kandidatë të pavarur dhe i fut në garë.
E drejta e gjithkujt për të kandiduar si partiak apo i pavarur është e patjetërsueshme, por jo me manipulime zgjedhore, jo me mashtrime.
Duro përdor mjete jashtëligjore, duke nënshkruar me firma zgjedhësish pa autorizimin e tyre, duke i falsifikuar ato dhe duke përdorur familjarët e vet si firmëtare të një kandidati ‘rival’.
Pas verifikimeve në terren nje pjese e madhe e qytetarëve mohuan të kenë firmosur në këtë listë mbështetje për z. Çlirim Hoxha, dhe disa prej tyre deklaruan perpara noterit publik këtë shkelje, duke nënshkruar se firma e tyre eshte falsifikuar.
Për këtë kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” ka bërë kallzim në Prokurorinë e Korçës për veprat penale:
1- Falsifikim dokumentacioni dhe firme
2- Përdorim i paautorizuar i dokumenteve të identifikimit duke përdorur institucionin e bashkisë
3- Ndërhyrje të paligjshme në procesin zgjedhor me qëllim manipulimin e vullnetit të zgjedhësve.