Partia Socialiste nuk do të bëjë më mitingje të mëdha në sheshe. Të paktën në fillim të fushatës. Këtë tha sot sekretari i përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri. Ai zbuloi se strategjia do të jetë e fokusuar në takime të vogla dhe jo duke bërtitur në sheshe.
“U diskutua nga të gjithë anëtarët për strategjinë dhe kalendarin e aktiviteteve dhe do të respektojmë afatet ligjore sipas Kodit. Fushata do të fillojë 30 ditë përpara.
Ishte një mbledhje organizative pune. PS hyn e sigurt me një program dhe koncept të qartë. Nuk duam të bërtasim. Nuk do të bëjmë aktivitete të mëdha.
Kemi menduar një strategji tjetër. Javën tjetër do të fillojmë aktivitetin me takime të qetë. Kundërshtari është i zhytur vetë në rublat ruse. Por strategjia jonë është për të ardhmen dhe progresin që ka bërë Shqipëria.
Pala tjetër ka vetëm fjalët përmbysje dhe revolucion që nuk përkon me interesat e shqiptarëve” tha ai pas mbledhjes së Kryesisë ditën e sotme.