I dërguari i posaçëm amerikan dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit James P. Rubin, do të zhvillojë një vizitë në rajon pas sinjaleve të forta dhe shqetësuese të intensifikimit të luftës hibride të Rusisë dhe dezinformimit.
Rubin do të vizitojë për katër ditë Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se i dërguari i posaçëm amerikan do të udhëtojë nga data 10-14 prill në Podgoricë, Shkup, dhe Tiranë.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, i dërguari i posaçëm Rubin do të marrë pjesë në takime me ambasadorët amerikanë nga Ballkani Perëndimor. James P. Rubin është emëruar në dhjetor të vitit të kaluar në këtë detyrë nga sekretari i Shtetit Anthony Blinken.