Dokumente të klasifikuara që u shfaqën në internet, me detaje që variojnë nga mbrojtja ajrore e Ukrainës deri te agjencia spiune e Izraelit, Mossad, ka bërë që zyrtarët amerikanë të përpiqen të identifikojnë burimin e rrjedhjes së informacioneve. Disa ekspertë thonë se mund të jetë një amerikan ai që i ka nxjerrë dokumentet. Zyrtarët thonë se gjerësia e temave të trajtuara në dokumente, të cilat prekin luftën në Ukrainë, Kinën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, sugjerojnë se ato mund të jenë nxjerrë nga një amerikan dhe jo nga një aleat.
“Fokusi tani është që kjo mund të jetë një rrjedhje nga SHBA-ja, pasi shumë nga dokumentet ishin vetëm në duart e SHBA-së”, tha Michael Mulroy, një ish-zyrtar i lartë i Pentagonit, në një intervistë për Reuters. Zyrtarët amerikanë thanë se hetimi është në fazat e hershme dhe ata që e drejtojnë atë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që elementë pro-rusë të jenë prapa rrjedhjes, e cila shihet si një nga shkeljet më serioze të sigurisë që nga koha kur më shumë se 700,000 dokumente e video të klasifikuara u shfaqën në faqen e internetit të WikiLeaks më 2013.
Ambasada ruse në Uashington dhe Kremlini nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Pas zbulimit të rrjedhjes, Reuters ka shikuar më shumë se 50 dokumente të etiketuara “Sekret” dhe “Top Sekret” që u shfaqën për herë të parë muajin e kaluar në faqet e internetit të mediave sociale, duke filluar me Discord dhe 4Chan. Edhepse disa nga dokumentet u postuan javë më parë, ekzistenca e tyre u raportua për herë të parë të premten nga New York Times.