Viti 2021 ishte viti që shënoi rekordin e konsumit të energjisë në një pjesë të mirë të vendeve përfshi edhe Shqipërinë ku rimëkëmbja e post-pandemisë ishte e shpejtë.
Por shfaqja në horizont e krizës së energjisë në verën e atij viti dhe përkeqësimi i saj në 2022 kur në ekuacion hyri edhe lufta Rusi-Ukrainë bëri që çmimet të arrinin nivele të çmendura. E gjithë kjo është reflektuar sidomos tek biznesi në treg të parregulluar i cili sipas statistikave të Entit Rregullator të Energjisë në raportin vjetor të vitit 2022 tregon se konsumi është tkurrur.
“Ulja e konsumit total të energjisë elektrike në vend për vitin 2022, krahasuar me vitin 2021, është afërsisht 5.8%. Në të njëjtën kohë, konsumi total i energjisë elektrike i për vitin 2022 është afërsisht 11.3 % më i lartë se konsumi mesatar i paraqitur në vijim të këtij raporti.
Kjo ulje e konsumit total të energjisë elektrike është reflektuar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por veçanërisht për konsumatorët që furnizohen në tregun e parregulluar, të cilët për vitin 2021 kanë konsumuar rreth 1,361 GWh energji elektrike, ndërsa për vitin 2022 këta konsumatorë kanë konsumuar rreth 929 GWh energji elektrike. Ulja e konsumit të energjisë elektrike ka ardhur edhe si pasojë e krizës energjetike shkaktuar nga lufta në Ukrainë, e cila çoi në një rritje të çmimeve të energjisë.
Në këtë situatë qeveritë e vendeve të ndryshme të botës, përfshirë dhe qeverinë e Republikës së Shqipërisë morën masa për të reduktuar konsumin e energjisë elektrike nëpërmjet fushatave sensibilizuese” vlerëson Enti./MONITOR