Rritja historike e çmimeve të ushqimeve pas luftës në Ukrainë ka kthyer vëmendjen nga sektori i bujqësisë në të gjithë botën.
Institucionet financiare ndërkombëtare po vënë në dukje faktin se sektori i bujqësisë dhe prodhimi i ushqimit do të jetë amortizator i fortë i zbutjes së inflacionit sidomos në Ballkanin Perëndimor.
Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik të këtyre ditëve për Ballkanin Perëndimor vuri në dukje se kriza e krijuar i përkeqësoi stimujt për fermerët, të cilët janë baza e sigurisë afatgjatë për prodhimin e ushqimit.
Në një analizë krahasuese, e cila ilustrohet ne grafikun e mëposhtëm, BB referoi se, Shqipëria kishte mbështetjen më të ulët për fermerët, me vetëm 0.3 për qind të PBB-së më e ulëta në Rajon.
Të gjitha qeveritë në Ballkan gjatë krizës së çmimeve vitin e fundit u përqendruan në uljen e inflacionit për të gjithë konsumatorët përmes kontrollit të çmimeve të ushqimeve. Mali i Zi aplikoi ulje të taksave, Maqedonia e Veriut, ulje të taksave dhe kufizim të eksportit, Serbia reduktim të tarifave të eksportit, ndërsa Shqipëria synon kontroll të çmimeve me borde qeveritare.
Shumica e masave në Rajon synuan mbështetjen ndaj të varfërve, ndërkohë që qeveritë përkeqësuan stimujt afatgjatë për fermerët, duke ulur kështu potencialin e rritjes së bujqësisë dhe duke ndikuar në rritjen afatgjatë të çmimeve të ushqimeve.