Në Shqipëri, që prej mesnatës së mbrëmshme ka nisur heshtja zgjedhore, ndërsa nesër qytetarët do të mund të votojnë për të zgjedhur drejtuesit e 61 Bashkive të vendit.
Në garë janë 144 kandidatë, ndërkohë që 23.700 të tjerë konkurrojnë për të qenë pjesë e këshillave bashkiakë. Zgjedhjet do të ndiqen nga afër, prej rreth 230 vëzhguesve ndërkombëtarë, pjesa dërrmuese e të cilëve janë angazhuar nën drejtimin e misionit të ODIHR-it.
Lista e votuesve për zgjedhjet e nesërme përmban mbi 3 milionë e 650 mijë zgjedhës, ku përfshihen edhe emigrantët shqiptarë, të cilët ende nuk mund të votojnë nga vendet ku banojnë. Duke mbajtur parasysh numrin e lartë të tyre, votuesit realë në zgjedhje mund të përllogariten diku te 30-40 përqind më pak.
Pas bojkotit të zgjedhjeve të vitit 2019 nga opozita, votimet e nesërme rikthejnë garën normale për drejtuesit e 61 bashkive të vendit, për të cilat konkurrojnë 144 kandidatë nga 40 parti dhe koalicione, përfshirë dy kandidatë të pavarur. Ndërsa për 1603 pozicionet e anëtarit të Këshillave bashkiakë, janë rregjistruar rreth 23 mijë e 700 kandidatë, përfshirë 10 të pavarur.
Në 5100 nga mbi 5200 qendra votimi, identifikimi i votuesve do të realizohet elektronikisht, përmes një pajisjeje offline. Përveç këtij sistemi, këtë herë në tre bashki, Elbasan, Kamëz dhe Vorë, votimi si dhe numërimi do të kryhet në mënyrë elektronike, duke përdorur makineri me ekran me prekje. Rezultatet paraprake pritet të publikohen menjëherë pas mbylljes së procesit, dhe do të bëhet një numërim manual paszgjedhor i të gjitha konfirmimeve, për të verifikuar saktësinë./VOA
Artikulli i plotë këtu.