Nëse një ekonomisti të njohur ndërkombëtar do t’i kërkohej që të bënte një vlerësim për ecurinë ekonomike të Shqipërisë, ai do të bazohej në disa variabla, si tendencat demografike, ecuria e konsumit, produktiviteti, eksport-importe e bilanci tregtar, çmimet, kredia apo dhe investimet që po bëjnë sipërmarrjet për teknologjinë e informacionit dhe njohuritë (know-how).
Bazuar në këto variabla zyrtare, për 4-mujorin e parë të vitit, ai do të arrinte në përfundimin që ekonomia nuk po ecën dhe aq mirë. Konsumi nuk ka ndonjë rritje domethënëse, e reflektuar kjo në rënien e të ardhurave nga TVSH-ja për 4-mujorin me 0.58% me bazë vjetore, tkurrjen e importeve të grupeve kryesore si ushqimet, me 11.2%.
Zhvillimet demografike, si rrjedhojë e emigracionit të lartë të popullsisë, ku vetëm në vitin 2022 kishte 31 mijë kërkesa për azil në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe inflacioni i lartë vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në konsum.
As produktiviteti nuk shihet të jetë përmirësuar, teksa bizneset, që po përballen me kostot e shtuara nga koniunktura ndërkombëtare e lokale, po detyrohen ndërkohë të rrisin pagat, disa me detyrim nga ndryshimi i pagës minimale, e disa të tjerë, për të frenuar ikjen e punonjësve, duke pasur më pak hapësira për të investuar në përmirësimin e teknologjisë. As deficiti tregtar nuk është përmirësuar në 4-mujorin e parë të vitit.
Kredia e re për ekonominë ishte rreth 3% më e ulët në tremujorin e parë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të gjitha sinjalet janë për një ngadalësim të ekonomisë në muajt e parë të vitit, në linjë dhe me parashikimet e institucioneve ndërkombëtare, të cilat presin që vendi të rritet me 2.5-3% këtë vit, nga 4.8% në vitin 2022.