Një influencuese e re braziliane u vra në sy të familjes së saj gjatë një tentim plaçkitje në Rio de Janeiro.
Luana Murta Jardim dos Santos Martins (30) ishte me burrin e saj dhe djalin e tyre dyvjeçar Miguelzinha, kur të dyshuarit iu afruan veturës së tyre të dielën në mbrëmje dhe filluan të qëllonin, transmeton Telegrafi.
Ajo u qëllua në shpatull, por më pas plumbi kaloi në zemrën e saj. U dërgua me urgjencë në spitalin komunal Salgado Filjo në Mejero, por ndërroi jetë nga plagët e marra menjëherë pas mbërritjes.
Policia në Brazil po heton rastin dhe e ka cilësuar si tentim plaçkitje. Babai i viktimës, Atanel Jardim dos Santos, megjithatë, beson se vajza e tij ishte objektivi. Pretendon se vajza e tij është ndjekur nga të dyshuarit para se të afrohen dhe të hapin zjarr.
“Nuk ishte plaçkitje, ishte vrasje. Askush nuk qëllon në veturë me xhama të mbyllur”, tha baba i të ndjerës.
Sipas hetimeve, të dyshuarit fillimisht kanë shtënë në pjesën e pasme të veturës, më pas kanë kaluar veturën dhe kanë shtënë sërish.
Bashkëshorti i Luanës, João Pedro Farce, tha se djali i tyre ishte në veturë në atë moment, por që të dy shpëtuan pa lëndime të rënda.
“Nuk po ndihem mirë. Dua të falënderoj të gjithë ata që dërgojnë shumë mesazhe. Jam mirë. Miguelzinho është gjithashtu mirë, fytyra e tij është e lënduar, disa copëza predhash e kanë goditur, por ai është mirë. Unë isha në ulësen e pasme. Sapo të kem më shumë informacion do ta shkruaj këtu”, ka bërë të ditur Joao në faqen e tij në Instagram