Shqipëria dhe Britania e Madhe janë dakordësuar për “ekstradim” të shqiptarëve të burgosur në shtetin britanik drejt vendit tonë. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja dha detaje për marrëveshjen me Britaninë, e cila do të paguajë kostot për të dënuarit dhe do të investojnë në burgje. Më tej, Manja tha se në Shqipëri do të vijnë vetëm të dënuarit që do të japin miratimin.
“Kjo marrëveshje bën të mundur që brenda kapaciteteve që kemi, ata të vijnë që ta vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri, për rintegrim dhe risocializëm për të qenë edhe pranë familjes, që të kenë kontakte me fëmijët dhe prindërit.
Marrëveshja nuk krijon asnjë kosto për buxhetin e shtetit. Të gjitha shpenzimet dhe kostot do të përballohen nga pala britanike. Marrëveshja parashikon edhe një fuqizim të kapaciteteve tona në sistemin e burgjeve. Marrëveshja parashikon një kohëzgjatje dy vjeçare. Sa i takon numrit të atyre që do të vijnë do të nisemi nga kapacitetet tona. Shifra nuk kam” tha ai.