Kolegji i Kryetarëve të PD-së ka reaguar duke dënuar kërcënimet ndaj një grupi deputetësh që ishin kundër vullnetit të shumicës në mbledhjen e djeshme të Kryesisë. Deputetët që ishin kundër zhvillimit të zgjedhjeve për kryetarin pa bërë më parë analizën dhe zgjedhjen e drejtuesve në degë më pas në qendër u kërcënuan nga një grup mbështetësish të Lulzim Bashës.
Deklaratë e Kolegjit të Kryetarëve të Partisë Demokratike
Kolegji i Kryetarëve në mbështetje dhe në besim të plotë të organeve drejtuese të Partisë Demokratike dënon çdo akt dhune duke bërë thirrje për të respektuar zgjidhjet dhe vendimet institucionale.
Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike.
Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë, i shërben atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike.
Mendimet ndryshe, alternativat për zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike, zgjidhen me të vetmin mjet demokratik që garanton standartin e çdo procesi dhe kjo është VOTA.
Përpjekjet për t’ju imponuar anëtarëve të Partisë Demokratike me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe bashkërendimin e aksionit tonë politik.