Finalizohet një tjetër operacion i përbashkët me partnerët amerikanë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nëpërmjet pasaportave të falsifikuara. Operaconi policor i koduar “PBF”, pas një hetimi proaktiv të zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield” pranë ambasadës amerikane në Shqipëri, Policinë Kufitare të Rinasit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Zbulohet dhe goditet një rrjet i falsifikimit të pasaportave diplomatike, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve drejt SHBA-së.
Gjatë operacionit janë arrestuar 2 shtetas dhe janë në hetim disa shtetas të tjerë.
Hetimi vijon në bashkëpunim me agjencitë partnere, për dokumentimin e përfshirjes në këtë veprimtari kriminale, të subjekteve të tjera nga vendet fqinje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me Njësinë Speciale Policore “Joint Shield”, në muajin prill të vitit 2023, kanë arrestuar shtetasen shqiptare D. I., 56 vjeçe, në tentativë për të udhëtuar drejt SHBA-së, me një pasaportë diplomatike false, për të cilën pretendonte se ishte e lëshuar nga një OJF e njohur me emrin “PBF”, me seli jashtë teritorit të Republikës së Shqipërisë.