Ish-kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici në momentin që njoftoi dorëheqjen deklaroi për videon që e kapën duke bërë seks se ishte kurth i ngritur nga rivalët duke akuzuar kështu Admir Sinamatin, përballë të cilit kandidoi në 14 Maj dhe e mposhti.
Por Sinamati tha sot në emisionin “Kontrast” se para zgjedhjeve një person i ishte ofruar për një video kompromentuese për Gjicin, por që tha se nuk e kishte pranuar duke e refuzuar.
“Sa për dijeni. Në javën e parë të fushatës më është prezantuar një qytetar, më ofroi një video komprometuese.
I thashë nuk jam njeri që merrem përndjekje të personave, më tepër të rivalëve të tij. I thashë nëse ke diçka drejtohu organeve ligjzbatuese.
Unë me kundërshtarin tim kam një betejë politike. Materialin që më është ofruar atëherë nuk e kam parë. Jam larg këtyre formave. Ai person që më tha për videon ishte person i panjohur për mua” tha ai.
Nisur nga fakti që videoja që doli në media mbante datën 6 qershor, krijohen dyshimet se kemi të bëjmë me një tjetër material që i është prezantuar Sinamatit.