Deputeti i PD-së Tritan Shehu deklaroi sot se legalizimi i kanabisit do të ndihmonte grupet e drogës që merren me kultivimin dhe shitjen e saj.
Sipas tij grupe kriminale kanë nisur të dërgojnë pajisjet në parcelat që janë ndarë, pasi thotë ai marrëveshja është bërë mes shtetit dhe grupeve kriminale.
“Të krijohet Republika e kanabisit. Projektligji i ri me të cilin qeveria kërkon të paraqitet në Kuvend duke legalizuar kanabisin nën petkun e kanabisit mjekësor është një ngjarje e hidhur dhe premton vetëm re të zeza për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ky ligj i shërben grupeve kriminale që merren me drogën, licensimit dhe legalizimit të tyre. Këtu dua të them se grupet kriminale që merren me drogën kanë kohë që kanë filluar ndërtimin e infrastrukturës për parcela të ndryshme, pasi janë ndarë parcelat për secilin grup.
Kanë filluar të çojnë materiale për ujitjen dhe elementë të tjerë, sepse marrëveshja është bërë mes qeverisë dhe grupeve kriminale. Tërheq vëmendjen me prodhimin e dobishëm dhe kërkon ta zhvendosë atë nga prodhimi i drogës,” tha ai.