Për më shumë se një vit, që prej marsit 2022, çmimet tavan të karburanteve u vendosën nga Bordi i Transparencës, një mekanizëm i krijuar nga qeveria për të kontrolluar çmimet pas krizës që u shkaktuan në këtë treg nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Operatorët u shprehën kundër këtij Bordi, duke pohuar se cenon parimet e ekonomisë së tregut dhe nuk u mundësonte kompanive që të optimizonin blerjet në tregjet ndërkombëtare, çka do bënte që ata të furnizoheshin kur tregu ishte më lirë. Kjo sipas tyre do mundësonte çmime rreth 5% më të lira sesa ato që vendos Bordi.
Bordi u shfuqizua në datën 7 qershor, ndërsa vendimi i tij i fundit i përket datës 26 maj, ku çmimi tavan i tregtimit me pakicë të naftës ishte 176 lekë, dhe i benzinës 179 lekë.
Kur kanë kaluar tre javë nga shfuqizimi i bordit, çmimet e tregtimit me pakicë të karburanteve vijojnë të mbeten të pandryshuara. Sipas një vëzhgimi në treg, Kastrati, Gega Oil, Eida, e tregtojnë naftën me 176 lekë dhe benzinë me 179 lekë. Bolv Oil e ka ulur lehtë naftën në 174 lekë. Ndërsa operatorët e vegjël kanë çmime të ndryshime, por më të lira sesa 176 lekë për naftën.
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve tha se do të duhen të paktën tre muaj që të stabilizohet tregu, pas ndërhyrjes së Bordit./MONITOR.