Shteti dhe partia u bënë të gjallë pas reagimit të fortë të opinionit publik. Komisariati i Policisë në Krujë është shkrirë dhe deputeti i PS-së në këtë qytet, Rrahman Rraja ka dhënë dorëheqjen nga mandati. Këto janë dy vendimet që janë marrë sot, njëri nga dera e policisë së shtetit dhe tjetri nga dera e Partisë Socialiste.
Rrahman Rraja njoftoi dorëheqjen jo vetëm nga mandati, por edhe politika. “Ndihem i turpëruar nga fëmija im” ishin fjalët e tij. I bëri thirrje djalit, Rexhepit që të dorëzohet. Ndërkohë që drejtuesi i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj merr në dorë rendin dhe sigurinë në Krujë deri në emërimin e shefit të ri të komisariatit.
Shkon në 8 numri i personave të shoqëruar dhe ndaluar në lidhje me ngjarjen si dhe shkon në 6 numri i personave të shpallur në kërkim për dhunën dhe kërcënimin me armë të dy kushërinjve Bilbil Maja dhe Jashar Maja. Mes tyre dy vëllezërit dhe djali i deputetit. Gjatë operacionit u kontrolluan 20 banesa, biznese dhe ambiente të ndryshme në pronësi të personave të shpallur në kërkim.
Në kërkim;
Rexhep Rraja-djali i deputetit
Xhelal Rraja-vëllai i deputetit
Flamur Rraja-vëllai i deputetit
Klajdi Rraja-i afërmi i deputetit
Përparim Rraja-Pronari i gurores
Edison Meta-i afërm i deputetit
Sot u shoqëruan 4 anëtarë të fisit Rraja;
-L. Rr.
-D. Rr.
-H. Rr.
-A. Rr.
U arrestuan dje;
Ineidi Rraja
Eni Kullaj
Kujtim Përdaku
Andi Rraja
Organizatorët
Policia e Shtetit deklaroi sot se organizatorë të dhunës barbare dje në Krujë janë Xhelal Rraja që është vëllai dhe Rexhep Rraja që është djali i deputetit socialist. Policia u bëri thirrje për t’u dorëzuar sa më parë.