Tre ditë pas ngjarjes së rëndë në Krujë, shkarkimit të ministrit, dorëheqjes së deputetit, tetë të arrestuarve dhe gjashtë të shpallurve në kërkim, policia njofton se gurorja “Delia Group” në Borizanë është bllokuar më në fund. Bllokimi, policia thotë se ka ardhur pas inspektimit të bërë në bashkëpunim me AKBN dhe AKSEM.
“Ushtruam kontroll ne subjektin gurore “Delia Group”, me administrator shtetasin V. D. me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.
Pas këqyrjes së sipërfaqes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj, u vendos bllokimi i subjektit deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM.
Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje” thotë policia.
Ndërkohë që djali i deputetit që dha dorëheqjen, Rrahman Rraja, Rexhepi, së bashku me dy vëllezërit e ligjvënësit janë ende në kërkim për dhunën e ushtruar ndaj kushërinjve Maja.