Të luftosh kontrabandën apo fenomenin e informalitetit nëpërmjet kontratave koncesionare, me sa duket po ngjan si lufta me mullinjtë e erës.
Edhe sot, 10 vite nga zbatimi i kontratës së koncesionit për markimin e naftës, ende nuk ka të dhëna konkrete nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) se sa i efektshëm ka qenë financiarisht koncesioni me luftën kundër kontrabandës.
DPD pohoi për “Monitor” se procesi i gjurmimit të naftës ka funksionuar normalisht, ndërsa për pyetjen se sa janë rastet e zbulimit të naftës kontrabandë nëpërmjet gjurmimit nga kontrata koncesionare, nuk bëri koment.
Për rrjedhojë për Doganat evazioni në sektorin e karburanteve rezulton të zbulohet në rast mospagese të akcizës nga operatorët, ndërsa nuk ka raste kontrabande apo informaliteti që deri tani të jenë zbuluar nëpërmjet kontratës koncesionare.
“Kontrata koncesionare e lidhur ndërmjet Autoritetit Kontraktues me kompaninë koncesionare ‘Global Fluids Internationals’ (GFI) ka si objekt markimin/shenjimin dhe monitorimin karburanteve, me qëllim përfundimtar kontrollin cilësor dhe mbledhjen e të ardhurave.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në cilësinë e “Autoritetit”, nëpërmjet strukturave të saj, ka bashkëpunuar dhe operuar me GFI në lidhje me kontrollin dhe monitorimin e produkteve hidrokarbure me synimin e qartë verifikimin e markimit të këtyre produkteve dhe për rrjedhojë, edhe shlyerjen e detyrime fiskale.
Grupe pune të përbashkëta, me përfaqësues të Autoritetit dhe GFI-së, çdo ditë pune mbi bazën e analizës së riskut, informacioneve operative, planeve të punës operojnë me kontrolle dhe verifikime fizike dhe analiza përkatëse, në pikat dhe distributorët e shpërndarjes ose shitjes, me pakicë dhe shumicë, të produkteve hidrokarbure. Monitor