Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka njoftuar për një mbledhje të përbashkët të “organeve shtetërore” të Republikës Srpska dhe Serbisë pas takimit me Milorad Dodikun.
Vuçiç shkruan se me presidentin e Republikës Srpska, ka diskutuar për situatën në rajon dhe takimet e ardhshme të rëndësishme mes dy delegacioneve.
“Dëgjova me vëmendje presidentin Dodikun për të gjitha ngjarjet në Republikën Srpska dhe Bosnje-Hercegovinë. U pajtuam që të organizojmë sa më shpejt një takim të të gjitha organeve shtetërore të Serbisë dhe Srpskas, në territorin e Republikës Srpska,” ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Menjëherë ka reaguar ashpër ministri i punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konakoviç, i cili ka deklaruar se nuk ekzistojnë organet shtetërore të Republikës Srpska dhe se kjo e fundit është entitet i Bosnje-Hercegovinës.
“President i Serbisë Aleksandar Vuçiç, nuk ka organe shtetërore të Republikës Srpska. RS është një entitet në shtetin sovran të Bosnjës dhe Hercegovinës. Çdo vizitë që bëni në atë pjesë të atdheut tonë është një vizitë në territorin e Bosnjë-Hercegovinës, ju si president i Serbisë, i cili vazhdimisht keni thënë se respekton integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës në fjalimet publike, duhet t’i quani gjërat me emrat e duhur”, pohoi Konakoviç.
View this post on Instagram