Mazhoranca dhe opozita nuk ranë dakord të premten që të shtyjnë sërish afatin e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi opozita kërkoi që të gjendej një konsensus i ri për funksionimin e tij, një vit e gjysmë pasi grupi bipartizan i punës nuk ka prodhuar asnjë rezultat.
Një kërkesë për shtyrje të afatit, e firmosur nga Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj nuk u hodh në votim në seancën e fundit plenare të këtij sesioni që përfundoi të premten në mëngjes, pasi kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha se tre grupet parlamentare të opozitës nuk ishin dakord.
“Të tre grupet e opozitës kërkojnë modus veprimi se si ta çojmë përpara reformën zgjedhore,” tha Bardhi në sallën e Kuvendit, duke shtuar se: “nuk ka asnjë shkak të arsyeshëm për të shtyrë e shtyrë pa punë këtë komision”.
Komisioni i Posaçëm u ngrit në shkurt 2022, por ka bërë vetëm dy mbledhje deri më tani. Pavarësisht mungesës së produktit, Kuvendi i ka dhënë atij mandat të ri çdo 6 muaj.
Bardhi deklaroi komisioni “ka dështuar të përmbushë detyrën që i ka caktuar Kuvendi”, ndërsa shtoi se në 6 muajt e fundit nuk është mbledhur asnjë ditë. Ai i propozoi mazhorancës që në shtator të gjendet një mënyrë si të çohet përpara reforma, duke propozuar rikonceptim të punës së komisionit.
Kërkesa e tij u kundërshtua fillimisht nga deputeti socialist, Toni Gogu, sipas të cilit nuk mund të lihej Kuvendi pa këtë komision dhe kërkoi që të votohej zgjatja e mandatit në mënyrë të njëanshme. Por Bardhi kundërshtoi duke i kujtuar se reforma është një proces që kërkonte konsensus politik./ BIRN