Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ai i Financave, Shkëlqim Cani janë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për koncesionin kontrovers të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, ndërkohë që ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj u arrestuan të enjten në zbatim të masave të arrestit të firmosura nga Gjykata e Posaçme thuajse dy muaj më parë.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Rrjepaj akuzohet për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për mashtrim me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
SPAK njoftoi gjithashtu se ishin ekzekutuar gjashtë masa të tjera sigurie ndaj anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, dy prej të cilëve me arrest shtëpie dhe katër të tjerë me detyrim paraqitje pranë oficerit të Policisë Gjyqësore.
Drejtuesit ekonomikë dhe juridikë të ministrisë së Shëndetësisë, Saimir Kadiu dhe Marsela Serjanaj u lanë në arrest shtëpie, ndërsa rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata dhe tre anëtarët e tjerë të komisionit, Petref Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi do të hetohen në masën e detyrimit të paraqitjes.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një nga katër projektet e Partneritetit Publik Privat të qeverisë “Rama” në sektorin e shëndetësisë, i cili i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë rreth 7.9 miliardë lekë [76 milionë euro] deri në fund të vitit 2022.
Ajo është një ndër dosjet e para të denoncuara në Prokurorinë e Posaçme që prej vitit 2019, ndërkohë që vendimMarrja vjen pas më shumë se katër vitesh hetime.
Në njoftimin për shtyp, SPAK bëri me dije se kishte regjistruar procedimin penal në janar të vitit 2020 dhe se i ishte drejtuar gjykatës për masat e arrestit në qershor 2023, pasi kishte kryer “një numër jashtëzakonisht të madh veprimesh hetimore”. Masat e sigurisë u miratuan nga Gjykata e Posaçme më 23 qershor, por SPAK nuk sqaron në njoftim ekzekutimin e tyre thuajse pas dy muajsh.
I pyetur nga BIRN, prokurori i çështjes, Edvin Kondili e lidhi vonesën e ekzekutimit të masave të sigurisë me faktin që biznesmeni nën akuzë, Ilir Rrapaj nuk ndodhej në Shqipëri.
“Ka qenë një taktikë e jona, sepse e dinim që do të vinte edhe personi tjetër nën hetim,” tha ai, duke nënkuptuar se arrestimi i ish-zv.ministrit Rrjepaj mund të sillte si pasojë largimin e biznesmenit Ilir Rrapaj.
Kërkesa e SPAK për masat e sigurisë ndaj tetë personave nën akuzë, pa përfshirë ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe atë të Financave, Shkëlqim Cani është vlerësuar si minimale nga gjykata.
“Unë pashë që kishte vepra të tjera penale dhe persona, përfshi edhe dy ish-ministrat dhe e kam orientuar prokurorinë që të hetojë në këtë drejtim,” tha në një bisedë telefonike gjyqtari Erion Bani, i cili shqyrtoi masat e sigurisë.
Prokurori i çështjes, Kondili i tha BIRN se ish-ministrat Ilir Beqja dhe Shkëlqim Cani janë nën hetim për rolin e tyre në dhënien e koncesionit të sterilizimit.
Beqja, i cili drejton sot Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik të Koordinimit të Ndihmës, nuk iu përgjigj një kërkese për koment të BIRN, ndërsa ish-ministri Shkëlqim Cani deklaroi pas një séance pyetjesh në SPAK të enjten se kishte dhënë miratimin pas plotësimit të kërkesave sipas ligjit.
“Unë nuk jam ministri që kam bërë pagesat. Kur ka filluar koncesioni unë jam larguar nga detyra,” tha Cani, ndërsa mohoi të kishte njohje me biznesmenin Rrapaj.
Në një investigim të publikuar në vitin 2015, BIRN zbuloi se Ilir Rrapaj, një ish-emigrant shqiptar në Itali, u bë përfituesi kryesor i koncesionit të sterilizimit pasi vendosi kontakte me ish-ministrin Ilir Beqja dhe zyrtarë të tjerë socialistë.
Përmes kompanisë së tij të vogël me kapital 1 mijë euro të regjistruar në Prishtinë, Investital LLC, Rrapaj mori 40% të aksioneve në konsorciumin që fitoi koncesionin. Aksionet e tjera zotëroheshin nga kompanitë italiane Servizi Italia me 30%, Tecnosanimed me 15% dhe U.Jet me 15%.
Kontrata koncesionare shkaktoi ‘dhimbje koke’ në Ministrinë e Shëndetësisë pas nisjes së zbatimit të saj për shkak të kostove të larta, çka e detyroi ministrinë që ta rinegocionte atë./ BIRN