Zbardhen detaje të reja nga vendimi i GJKKO-së për skandalin në Ministrinë e Shëndetësisë në lidhje me koncesionin e sterilizimit. Në vendimin e gjykatës të nënshkruar nga gjyqtari Erjon Bani, shkruhet se ish zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj qëndrojnë më shumë jashtë Shqipërisë se sa brenda vendit sipas sistemit TIMS dhe mundësia e largimit të tyre është shumë e madhe.
“Gjykata vlerëson se kemi të bëjmë me frikë, mendim dhe dyshim të arsyeshëm se të dyshuarit po të lihen pa masë mund të largohen për të pamundësuar apo penguar qëllimisht zhvillimin normal të procedimit penal, duke pasur parasysh pasojat e veprës dhe marzhin e dënimit të veprës penale që dyshohet se kanë konsumuar që dënohet në 7 dhe 10 vjet burgim.
Gjithashtu gjykata çmon se ekziston rreziku që personat nën hetim Ilir Rrapaj dhe Klodian Rrjepaj të largohen duke iu shmangur drejtësisë. Është për t’u përmendur fakti që këta persona në të shumtën e kohës qëndrojnë jashtë shtetit dhe nuk ndodhen në Shqipëri sipas sistemit TIMS.
Këta persona janë me mundësi të larta financiare, mund të largohen lehtësisht nga territori shqiptar për të jetuar jashtë shtetit. Në këto rrethana rreziku i largimit dhe i fshehjes është tepër i lartë”, shkruhet në vendimin e gjyqtarit Erjon Bani. Top Channel
Dosja e “Sterilizimit”! Gjykata lë në burg ish-zv/ministrin dhe koncesionarin