Ish-Presidenti Trump njoftoi se do të paraqitet tek autoritetet në Xhorxhia të enjten, për çështjen gjyqësore ku ai akuzohet se planifikoi veprime të paligjshme për përmbysjen e humbjes së tij në zgjedhjet e vitit 2020.
“A mund ta besoni? Do të shkoj në Atlanta, Xhorxhia, të enjten që të më ARRESTOJNË”, shkruajti zoti Trump në rrjetin e tij të mediave sociale mbrëmjen e së hënës, pak pasi u bë e ditur se garancia financiare për të është përcaktuar në shumën 200 mijë dollarë, shkruan BBC.
Ish-Presidentit Trump, të cilit i ishte vendosur afati deri të premten për t’u paraqitur, i ndalohet gjithashtu frikësimi i të akuzuarve të tjerë, dëshmitarëve, apo viktimave në kuadrin e kësaj çështjeje – përfshirë nëpërmjet mediave sociale – thuhet në marrëveshjen e firmosur nga Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, avokatët e zotit Trump dhe nga gjykatësi.
Ish-presidenti ka përdorur në mënyrë të përsëritur mediat sociale për të sulmuar personat e përfshirë në çështjet penale ndaj tij, ndërsa vazhdon fushatën për të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024. Ai ka vepruar kështu ndaj Prokurores Willis, si dhe iu drejtua me emër të hënën Guvernatorit të Xhorxhias, Brian Kemp – një zyrtar republikan që ka refuzuar përpjekjet për të përmbysur rezultatin zgjedhor.