Çdo ditë dalin në dritë detaje të reja nga dosja e “Sterilizimit” që çoi pas hekurave ish-zv/ ministrin e Shëndetësisë dhe biznesmenin që fitoi koncesionin.
Në dosje rezulton se mes dokumenteve të përdorura për fazën përgatitore të koncesionit të sterilizimit ka qenë edhe një mendim i shefave të shërbimit të kirurgjisë mbi setet dhe instrumentet kirurgjikale të nevojshme.
Por në fakt nga verifikimet e SPAK-ut ka rezultuar se gjithçka ka qenë e përgatitur nga koncesionari që ishte parashikuar që do të fitonte. Mendimi i shefave të kirurgjisë ishte “gatuar” nga ata që më pas fituan koncesionin.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, lista me setet dhe instrumentet kirurgjikale iu është shpërndarë për mendim kryekirurgëve në shtator 2014 nga sekretarja e ish-zv/ministrit të Shëndetësisë Klodian Rjepaj, me shënimin “porosi e zv/ministrit”.
Dokumenti ishte përgatitur nga “Steritalia spa”, shoqëri italiane e krijuar dhe administruar nga Umbro Staccini, biznesmeni italian, ortaku i Ilir Rrapajt në kompaninë koncesionare “Saniservice” që fitoi koncesionin e “Sterilizimit”.
Përgjigjet e supozuara të kryekirurgëve janë bërë pjesë më pas e studimit të fizibilitetit të koncesionit. Kjo është një tjetër nga provat e shumta të SPAK-ut që vërteton njohjen mes personave që fituan dhe atyre që ia dhuruan koncesionin.