Mbrëmjen e djeshme qyteti bregdetar i Vlorës u trondit nga plumbat. Ishte një karikator që u zbraz. Shënjestër ishte Leart Keka, i cili kishte ndryshuar emrin, por që nuk i shpëtoi hakmarrjes dyshohet si pasojë e të shkuarës së zezë, pasi dyshohet se ishte dënuar 10 vite burg për rrëmbimin dhe vrasjen e një kambisti.
Si u vra “Kapiteni”?
I njohur edhe si “Kapiteni” nga rrethi i ngushtë, 41-vjeçari ishte në ndjekje për lëvizjet që bënte. Por nuk ruhej që pas daljes nga burgu. Filloi një jetë të re pas dënimit. U martua. Por e kaluara s’u harrua. Mbrëmjen e djeshme orët e kanë ndjekur me një “Audi” me targa italiane. Pranë Kishës Ortodokse e qëlluan. Fillimisht me breshëri nga dritarja e makinës.
Keka u rrëzua nga motori dhe zvarrë eci për disa metra në tentativë për t’u futur mes pallateve. Por njëri nga killerat zbriti nga “Audi” e ndoqi dhe e qëlloi nga afër për t’u siguruar se e vrau. 41-vjeçari e dha frymën e fundit në rrugë. 28 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes. 6 prekën trupin e shënjestrës, kokë, trup dhe këmbë duke i marrë jetën.
Arratisja
“Audi” u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Për disa minuta arriti që të dilte me shpejtësi nga qyteti. U largua drejt fshatit Kote ku iu vendos zjarri. Brenda u gjet një kallashnikov i djegur. Autorët ia mbathën. Një tjetër makinë i ka pritur për t’i marrë dhe larguar nga aty. Më së paku kanë qenë tre që kanë marrë pjesë. Shoferi, ekzekutori dhe i treti që i ka pritur në Kote për t’i arratisur. Tetë persona janë shoqëruar deri tani, dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes dhe njerëz që mund të kenë dijeni për rrethanat.
E shkuara dhe pistat
Laert Keka është një emër i dëgjuar dhe njohur jo vetëm në lagjen ku jetonte në Vlorë, por edhe për drejtësinë. Paraprakisht dyshohet se ka bërë 10 vite burg për vrasje në bashkëpunim. Rreth vitit 2000 dyshohet se ka marrë peng një kambist dhe e ka ekzekutuar. Ndërsa vite më vonë është akuzuar edhe për vjedhje me dhunë. Në skedën e tij në policinë kriminale janë edhe disa konflikte të tjera. Kjo i ka bërë hetuesit që të përqendrohen tek pista e vrasjes për hakmarrje.
Hap pas hapi, si u vra “Kapiteni”? U ngrit, por iu “prenë këmbët”, frymën e fundit e dha në rrugë