Fisi Rraja i ish-deputetit socialist në Krujë duket se po i shpëton drejtësisë falë lidhjeve të vjetra dhe të forta.
Dje në media u publikua lajmi se eksperti ligjor kishte lehtësuar pozitën e djalit dhe vëllait të ish-deputetit Rrahman Rraja për dhunën e ushtruar në 6 korrik kundër dy kushërinjve Maja pas sherrit për guroren.
Mjeku ligjor Elton Serani e ka klasifikuar si plagosje e lehtë dhunën që fisi Rraja ushtroi kundër dy kushërinjve Maja. Në fakt pamjet që dolën në media dhe denoncimin që bënë vetë të dhunuarit ishin të tmerrshme.
Dajak me shkopinj, hunj dhe sende të forta. Madje edhe goditje me qytën e pistoletën. Njëri nga dy vëllezërit u shfaq i çarë në kokë dhe i larë në gjak. Por për mjekun është thjeshtë një dëm i lehtë.
Nëse bëjmë një kërkim të thjeshtë rezulton se Elton Serani është i njëjti mjek që ka ekspertuar dhe Xhensila Malokun për dhunë fizike, për të cilën u dyshua si autor dhe më pas u dënua Rexhep Rraja.
Për rastin e fundit, pavarësisht se mjeku konstatoi se kemi të bëjmë me plagosje të lehtë, prokuroria tha se nuk e ka ndryshuar akuzën, plagosje të rëndë. Megjithatë në fund, nëse nuk e rikthen, prokuroria fatkeqësisht do të duhet të bazohet te ekspertimi i Seranit.
Në krahun tjetër të akuzuarit si organizatorë të kësaj dhune makabre vëllai dhe djali ish-deputetit vijojnë që të shijojnë lirinë.