Enca, këngëtarja e njohur shqiptare, emri i vërtetë i së cilës është Ruenca Haxhiaj, ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, pasi akuzohet për kultivim të bimëve narkotike në verandën e banesës së saj në periferi të kryeqytetit, ku iu gjetën 5 vazo me hashash.
Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak. Bashkë me të është kapur dhe i dashuri i Encës. Banesa e këngëtares ndodhet në periferi të Tiranës në një vilë private.
Arrestohet Enca, iu gjetën vazo me hashash në ballkonin e vilës në Lundër
Kontrolli i policisë në shtëpinë e saj është bërë pasi efektivët e Komisariatit Nr.1 kishin informacion në rrugë operative.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja. Sekuestrohen bimët narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër. Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.