Bashkimi Evropian insiston që përgjegjësit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi në veri të vendit, të vihen para drejtësisë dhe të gjitha faktet të verifikohen. Këtë e ka thënë në një konferencë për shtyp zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano. I pyetur se çfarë roli mund të luajë EULEX-i për të mundësuar komunikimin mes autoriteteve policore në Kosovë dhe atyre në Serbi, pasi ato nuk kanë bashkëpunim direkt, zëdhënësi i BE-së ka thënë se EULEX-i është në terren dhe po bashkëpunon shumë mirë me autoritetet e Kosovës.
“EULEX-i është në terren si reaguesi i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tash ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është shumë i mirë. Komandanti i EULEX-it është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren”, ka thënë Stano.
Ai ka përsëritur se hetimet ende po vazhdojnë, porse nuk ka dilemë se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë. “Hetimet po vazhdojnë dhe ato nuk janë kryer akoma. Ato janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë, ata asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë ai.