Me përmasa tragjike ka rezultuar aksidenti i rëndë në një kantier ndërtimi në Hafen të Hamburgut në Gjermani. Katër shqiptarë punëtorë ndërtimi humbën jetën pasi skela që po punonin u shemb ndërsa një është në gjendje të rëndë shëndetësore.
33-vjeçari Alfred Visha, baba i tre fëmijëve të mitur ndodhet në gjendje kome në një spital të Hamburgut. Daja i tij tepër i shqetësuar tregon për News 24, se fati i keq bëri që ai të ishte bashkë më shqiptarët e tjerë mbi skelën e mbingarkuar kur materiale ndërtimi dhe hekuri i ranë përsipër.
Zemra e fortë duket se e shpëtoi 33-vjeçarin. Si shumë shqiptarë të tjerë, për të siguruar jetën e 3 fëmijëve të mitur në një fshat të thellë të Matit, Alfredi shkonte në Gjermani për punë sezonale cdo 3 muaj me pasaportë shqiptare, dhe më pas kthehej.
Dajes i kishte rrëfyer se në kantier punonte në të zezë, sfilitej me orare të tejzgjatura, me siguri të dyshimtë teknike dhe për gjithcka paguhej 10 euro në orë.
Një apel Luan Cemenja e ka për shtetin. Ai kërkon ndihmë pasi kushtet ekonomike te familjes në Mat janë të vështira. Cemenja identifikoi edhe një prej viktimave, punëtor ndërtimi në atë skele me origjinë nga Dibra.