Projektbuxheti për vitin që vjen ishte tema kryesore e emisionit “5Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv. Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie u shpreh pesimist duke thënë se nuk do të kemi ndonjë zhvillim të ri.
“Vërtetë kemi një buxhet 7 miliardë Euro shpenzime, 80% e tyre janë të ardhura tatimore dhe jo tatimore. Ky buxhet është një buxhet i tillë që përfaqëson atë lloj vazhdimësie të politikave që nuk kanë lidhje me ndonjë zhvillim të ri, vetëm se na kanë shtuar borxhin në krahasim me vitin e kaluar. 33% e ekonomisë është ende në të zezë”.
Për ekspertin Vjoldi Danaj buxheti vitet e fundit është rritur nga çmimet. “Jam më shumë skeptik. Nëse nuk do të ketë rritje, do të kemi këto taksa që nuk e favorizojnë biznesin. Barra fiskale është 36.6%, që për ekonominë tonë është shumë e lartë. Rritjen e të ardhurave që ne patëm për 2022-23 u ndikua nga pjesa e çmimeve.
Sa i përket forcimit të lekut ka dhënë edhe një efekt të kundërt, uljen e eksporteve, dëmtimin e tyre. Një lek i fortë, eksportuesit kanë humbur sasi të mëdha euro. Shqipëria e bën buxhetin në tavolinë me letra, pa asnjë gjë të lartë. I bëmë investimet? Ku po kthehen investimet? Po flitet për rritjen e pagave, ku do të merren lekët? Duhet të rrisim borxhin publik, që do të ketë rritje”.
Klodian Muço tha se për vitin që vjen 45 milionë Euro do i merret shtresës së mesme. “Ta nisim me të ardhurat krahasuar me vitin e kaluar, ka një rënie. Cdo vit buxheti është më i madh, por që problemi është si shpenzohen. Veç rritjes së pagave, që janë rreth 100 milionë Euro për vitin që vjen. Shtresa e mesme, profesionet e lira, do u merren 45 milionë Euro më tej. Janë 16400 persona” tha ai.