Foto ilustruese
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla bashkë me dy ministret, të Turizmit dhe Mbrojtjes Sociale kanë firmosur një marrëveshje që ka për qëllim të adresojnë shqetësimin lidhur me zhurmat duke filliar nga lokalet e natës.
Gjatë një konference për mediat bashkë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, Balla tha se ata kanë rënë dakord për miratimin e një udhëzimi të përbashkët që do i hapë rrugë plotësimit të kuadrit rregullator.
“Dua të informoj se kemi dakordësuar të tre ministrat për të adresuar një shqetësim mbarë-qytetar që lidhet me nivelin e zhurmës në mjediset dhe ambientet e përbashkëta që jetojmë.
Janë çështje që vit pas viti janë munduar të adresohen nga të gjitha institucionet. Jemi dëshmitarë të faktit që Shqipëria ka përmbyllur një sezon turistik tepër të suksesshëm.
Zhurmat në mjedis, përfshi ato të përdorimit të lëndëve piroteknike, përbëjnë cënim të rendit dhe sigurisë publike.
Cënojnë edhe imazhin e turizmit tonë në sytë e vizitorëve të huaj. Miratimi i një udhëzimi të përbashkët është hap i rëndësishëm në plotësimin e kuadrit rregullator, pasi përcakton qartë nivelin e zhurmës në një mjedis të caktuar.
Përmes këtij udhëzimi sot ne përcaktojmë nivelet kufij të zhurmave që duhet të respektohen nga gjithë qytetarët”, është shprehur Balla.